Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar të martën protestuesit që të “dinë kufijtë e tyre” pas gjashtë netësh protestash masive përmes të cilave po kërkohet lirimi i kryetarit të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Duke folur në një vakt iftari në Ankara, Erdogani ka thënë se “ata që përhapin terror në rrugë dhe duan ta kthejnë këtë vend në zjarr nuk kanë destinacion”.

“Rruga që ata marrin është një rrugë pa krye”, ka thënë presidenti turk.

Paralajmërimi i tij vjen pasi kreu i partisë kryesore opozitare ka vizituar Imamoglun në burg.

Imamoglu, i arrestuar më 19 mars me akuza për korrupsion, shihet si sfiduesi kryesor i sundimit 22-vjeçar të Erdoganit.

Arrestimi i tij është parë gjerësisht si i motivuar politikisht dhe ka nxitur demonstrata, disa duke u kthyer në të dhunshme, në të gjithë vendin.

Qeveria këmbëngul se gjyqësori i Turqisë është i pavarur dhe pa ndikim politik.