Europa shfaqet e bashkuar me Presidentin Zelenski përballë kërcënimeve të Rusisë. Ne samitin e mbajtur në Bruksel me liderë e BE-së, Zelensky, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që ta detyrojnë Kremlinin që të ndalë sulmet ajrore dhe detare ndaj Ukrainës, si një hap drejt përparimit te negociatave për paqe.

“Të gjithë duhet të sigurohen që Rusia, si burimi i vetëm i kësaj lufte, të pranojë se duhet ta përfundojë luftën. Këtë mund ta dëshmojmë me dy forma, përkatësisht: asnjë sulm ndaj infrastrukturës së energjisë dhe asaj civile – një armëpushim për raketat, bombat dhe dronët me rreze të gjatë veprimi, dhe e dyta është armëpushimi në ujë, që nënkupton asnjë operacion ushtarak në Detin e Zi”.

Pas takimit të krizës në Paris dhe Londër, samiti i 6 marsit u përqëndrua në planin që përfshin një forcim të madh të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe “aftësive për sulme precize”. Plani kërkon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për 800 miliardë euro, teksa Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar ndihëm për Ukrainën dhe kanë sinjalizuar se Evropa duhet të luajë rol më të madh për sigurinë e saj.

Ndërkohë, zëdhënëse e qeverisë franceze i tha gazetarëve se presidenti Emmanuel Macron po shqyrtonte një vizitë të përbashkët në Uashington me Zelenskyn dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. Deri tani, Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se janë gati të dërgojnë trupa në terren. Starmer tha në Londër se edhe shtete të tjera janë angazhuar, por refuzoi t’i emëronte ato.