Ardhja në jetë e foshnjës 7 muajshe Aida ishte gëzim i papërshkruar për familjen Neziri që për momentin jeton me qira në Shkup. Mirëpo, vetëm pak ditë pas lindjes gëzimi u shndërrua në mërzi kur prindërit kuptuan se foshnja e tyre përballet me probleme shëndetësore dhe tashmë kërkon trajtim dhe kujdes të veçantë. Siç rrëfen nëna Lejla Neziri, foshnja është vazhdimisht dyerve të spitaleve për të konfirmuar diagnozën e vërtet. Problemet shëndetësore të foshnjës kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen e rëndë ekonomike të kësaj familje katër anëtarëshe që për momentin nuk ka të ardhura nga askund, përveç një ndihme të vogël sociale. Madje, nëna rrëfen se shpesh herë ka marrë para borxh për të blerë qumësht pluhur dhe pelena për fëmijët.

“Me ja bë incizimin e zemrës, incizimin e kokës, incizime vazhdimisht. Prej të hënën e deri të premten e çon në terapi në Kozle? Po, në Kozle. Pastaj tre herë në ditë në shtëpi me pastru, me ly me ilaçe. Dëgjova pak më parë se nuk kishe për momentin pelena për fëmijët, sa ditë ose sa kohë nuk ke, qysh ja ke dal këto ditë? Tash për momentin kam ble me copa ose dikush që më ka dhënë. Me çka e ushqen çikën? Me qumësht pluhur, një pako që e ushqej çikën harxhohet për tre ditë, kushton ajo, 1200 den. 1200 den për tre ditë. Si ja ke dal këto ditë? Me zor valla, shumë me zor. A ke marr ndonjëherë borxh diku që tu blesh fëmijëve ushqim e çka duhet, sidomos për qumështin pluhur? Po, po kam marr valla. Derisa nuk ishte çika ndryshe, tash Zoti ma dërgoj, çka të bëj. Prej qefit askush nuk del, krejt prej zorit”, deklaroi Lejla Neziri, nënë.

Përveç prindërve, për të voglën Aida shpesh herë mundohet të kujdeset vëllai më i madh Aroni që tashmë kë mbushur 4 vjet. Pavarësisht shpenzimeve të përditshme, familja Neziri detyrohet ¬çdo muaj të siguroj rreth 300 euro për të paguar qiranë bashkë me shpenzimet e rrymës dhe ujit.

“Qiraja shumë e papërballueshme, çdo muaj rryma e uji plus vajza, ku edhe ushqimi. Të gjitha duhen edhe për fëmijë edhe për të rriturit. Qiranë sa e keni? 150 euro. Plus e paguani edhe rrymën edhe ujin? Sa bëhen të gjitha? Bëhen afër 280 euro. A e keni pagu qiranë për muajin shkurt? Po, e kemi paguar. Rrymën nuk e kemi paguar, ujin dhe qiranë po, ato që i kam pas i kam dhan”, u shpreh Lejla Neziri, nënë.

Në momentet që ekipi i Alsat qëndroi në këtë familje kuptuam se përballeshin me shumë mungesa duke filluar nga ato ushqimore e veshmbathje për fëmijë. Prandaj, familja apelon për ndihmë që, siç thotë ajo, për tejkaluar këto ditë të vështira deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme. /Alsat.mk

Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
+389 70 855 249 Lejla Neziri, lagjja Shkup – Veri