Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka përkujtuar 26 vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti historik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Fetai theksoi se bombardimet e NATO-s ndihmuan çlirimin e Kosovës dhe ndaluan shtypjen dhe krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit kundër civilëve në Kosovë.

“Ky moment historik hapi rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, shkroi ai.

Ai gjithashtu vuri në dukje rolin e Maqedonisë së Veriut si një anëtare krenare e NATO-s, e angazhuar në misione paqeruajtëse për një botë më të sigurt.

Por, kjo deklaratë nuk i pëlqeu aspak diplomatit serb me seli në Shkup.

Ambasada serbe në këtë vend u shpreh “thellë e shqetësuar” për këtë deklaratë të Fetait, duke thënë se e njëjta “nuk kontribuon në ndërtimin e respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.

Në reagimin e kësaj ambasade theksohet se deklarata e Fetait se intervenimi i NATO-s ishte një “moment historik” që “hapi rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe “ndalimin e gjenocidit” ndikon thellë në ndjenjat e qytetarëve serbë, për të cilët, sipas këtij reagimi, “24 marsi përfaqëson simbolin e vuajtjeve të mëdha dhe fillimin e një prej periudhave më tragjike në historinë e re të Serbisë dhe popullit serb”.

“Kujtimet e ngjarjeve të asaj kohe dhe vuajtjet e popullatës janë ngulitur thellë në ndërgjegjen kolektive të popullit tonë, dhe dhimbja dhe pasojat e asaj periudhe janë ende të gjalla edhe sot. Prandaj çdo përpjekje për të relativizuar apo interpretuar pozitivisht këto ngjarje perceptohet si një poshtërim i dhimbshëm dhe i papërshtatshëm i viktimave dhe familjeve të tyre”, tha ambasada serbe në Shkup, raporton Klankosova.tv.

Më tej, misioni diplomatik serb në Shkup tha se “shpreh shpresën se në të ardhmen kompleksiteti i temave të tilla do të merret parasysh gjatë paraqitjeve publike, por, më e rëndësishmja, do të tregohet konsistenca e parimeve të përzgjedhura ndërkombëtare në zbatim të interpretimit dhe respektimit të parimeve të tyre ndërkombëtare, duke respektuar interpretimin dhe zbatimin e tyre”.

Ambasada theksoi se është veçanërisht e shqetësuar për “përdorimin joserioz” dhe “të pabazuar” të formulimeve gjuhësore dhe termave juridikë, siç është termi “gjenocid”. Ky i fundit, ambasada serbe thotë se po keqpërdoret dhe se përdorimi i tij është “fyerje për të gjitha viktimat e vërteta të kësaj forme më të rëndë krimi”.

Më tutje, ambasada e vazhdoi narrativin serb për situatën “e rëndë” të popullatës serbe në Kosovë.