Gashi: Qytetarët nuk janë të kënaqur me nivelin e diskursit politik dhe kulturës politike që është në Kuvend

Qytetarët nuk janë të kënaqur me nivelin e diskursit politik dhe kulturës politike që është në Kuvend, ndërsa edhe nëse është i mirë, mendoj se gjithmonë duhet të kërkojmë më shumë, deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, we në lidhje me procedurën për miratimin e Kodit të Etikës në shtëpinë ligjvënëse.
Sipas Gashit, Kodi i Etikës është një mënyrë e ngritjes së nivelit dhe do të kontribuojë në ngritjen e dinjitetit të secilit deputet.
“Gjithmonë ka nevojë për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe për të ngritur kulturën politike. Nëse do të bëja një vlerësim personal, do të thosha perceptimin e qytetarëve që mendoj se nuk janë të kënaqur me nivelin e ligjërimit politik dhe kulturës politike në Kuvend, ndërsa edhe nëse është i mirë, mendoj se duhet të kërkojmë gjithmonë më shumë. Unë jam i kënaqur me të gjithë kolegët e mi në Kuvend, por Kodi i etikës është një mënyrë për të ngritur nivelin dhe mendoj se do të kontribuojë në ngritjen e dinjitetit të secilit deputet individualisht, por edhe të Kuvendit si institucion, si një nga institucionet më të rëndësishme në vend”, theksoi Gashi.
Gjatë vizitës në Komunën e Manastirit, të shoqëruar nga deputetët Ollga Lozanovska, Silvana Angelevska, Pece Milevski dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska, si dhe nga kryetari i komunës Toni Konjanovski, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri promovimin e zyrave të rikonstruuara të deputetëve të këtij qyteti.
“Projekti ‘Deputeti juaj’ është shumëvjeçar me vështirësi në të kaluarën, por tashmë kemi një dinamikë të re të hapjes së zyrave për deputetë. Në Manastir zyrat janë mjaft dinjitoze dhe shpresoj se kjo do të jetë një nxitje për qytetarët e Manastirit që të vijnë dhe të takohen me deputetët e tyre, duke realizuar kështu të drejtën e qytetarëve për kontakt të drejtpërdrejtë me deputetët. Projekti ‘Deputeti juaj’ është projekt i Kuvendit dhe po zbatohet në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës dhe NDI, ndërsa tani Kuvendi do të mundohet të ketë zyra në të gjitha komunat për kontakt me deputetët”, potencoi Gashi.
Për njeriun e parë të Parlamentit të Maqedonisë, pritje në kabinetin e tij organizoi kryetari i komunës, Toni Konjanovski.
“Gjatë pritjes në Komunën e Manastirit me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin biseduam për disa tema, shkëmbyem përvoja dhe miqësia dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe më tej”, potencoi kryetari i komunës Konjanovski.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, qëndrimin në Manastir e përmbylli me vizitë në Muzeun e Alfabetit shqip.