Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka qenë në krye të organit qeverisës të futbollit botëror që nga viti 2016. Ai filloi mandatin e tij të tretë në 2023 dhe do të përfundojë mandatin e tij si president në 2027. Por sa të ardhura ka përfituar italo-zvicerani teksa ka qenë në krye të FIFA-s?
Në rolin e tij si president i FIFA-s, Infantino ka parë rritje të vazhdueshme të pagave të tij (me përjashtim të periudhës së Coronavirusit), në përputhje me zhvillimin e qarkullimit të organit që ai kryeson.
Që kur mori drejtimin e FIFA-s, Infantino ka fituar rreth 27.1 milionë euro (duke marrë parasysh kursin e këmbimit midis frangës zvicerane dhe euros), raporton “Calcio e Finanza”.
Një rritje e ndjeshme e pagave ka ndodhur nga viti 2017 deri në vitin 2018, kur kompensimi i Infantino-s ka shkuar nga 1.45 milionë euro në 3.1 milionë euro.
Në mënyrë të detajuar, për vitin 2024, siç del nga dokumentet zyrtare të konsultuara nga “Calcio e Finanza”, Infantino ka grumbulluar gjithsej 4.25 milionë franga zvicerane (baraz me afërsisht 4.44 milionë euro), duke përfshirë një bonus prej 1.65 milionë franga zvicerane.
Kjo është një pagë në përputhje me atë të marrë nga menaxheri zviceran në vitin 2023.
Këto shifra janë të pranishme në dokumentet zyrtare të FIFA-s dhe konfirmojnë vullnetin dhe hapjen ndaj transparencës, një temë që vetë Infantino e ka shtyrë fort që në fillim të mandatit të tij. Para presidencës së tij këto ishin shifra që mbaheshin të fshehura.
Për kujtim, paraardhësi i Infantino-s në krye të FIFA-s, Sepp Blatter mori një bonus prej 20 milionë frangash zvicerane, pa e ditur askush nga jashtë, pasi dokumentet e organit nuk duhej të tregonin kompensimin e presidentit.
Pagat e Infantino-s që kur u bë president i FIFA-s:
1.41 milionë euro në vitin 2016;
1.45 milionë euro në 2017;
3.1 milionë euro në 2018;
3.0 milionë euro në 2019;
2.8 milionë euro në 2020;
2.98 milionë euro në 2021;
3.64 milionë euro në 2022;
4.3 milionë euro në 2023;
4.44 milionë euro në 2024.