Hamasi hodhi raketa në Izrael nga Gaza, përgjigja e parë e grupit militant ndaj ofensivës së ripërtërirë të Izraelit në Rrip që shkatërroi armëpushimin dymujor.
Tri predha goditën Izraelin qendror, njoftoi ushtria izraelite.
Njëra u kap dhe dy “ranë në një zonë të hapur”, pa shkaktuar viktima.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, konfirmoi se kishte nisur një sulm, duke thënë se kishte “bombarduar qytetin e Tel Avivit thellë brenda territoreve të pushtuara me një breshëri raketash M90” në hakmarrje për sulmet e Izraelit këtë javë në Gaza që vranë qindra.
Raketat janë të parat që lëshohen nga Gaza qëkur Izraeli këtë javë theu armëpushimin me Hamasin që kishte mbajtur që nga janari, duke bombarduar fillimisht Rripin me sulme ajrore të martën përpara se të niste një ofensivë tokësore një ditë më vonë.
Izraeli gjithashtu u sulmua gjatë natës nga rebelët Houthi të Jemenit, shkruan CNN.
Milicia e mbështetur nga Irani tha se gjuajti një raketë balistike ndaj Izraelit në përgjigje të luftës së ripërtërirë të Izraelit në Gaza.
Bëhet e ditur se Izraeli fajëson Hamasin për luftimet e reja për refuzimin e pranimit të kushteve të rishikuara të armëpushimit.
Hamasi, nga ana tjetër, ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ndryshimin e njëanshëm të armëpushimit dhe vënien e pengjeve “në rrezik”.
Netanyahu u përball me zemërimin e protestuesve në Jerusalem të mërkurën, ndërsa mijëra u mblodhën jashtë parlamentit Knesset, për të kundërshtuar ripërtëritjen e luftimeve.
Protestuesit kanë akuzuar Netanyahun për rifillimin e luftës në mënyrë që të forcojë koalicionin e tij qeverisës, i cili prej kohësh ka kërcënuar të shembet për shkak të ndarjeve për luftën në Gaza.
Ndryshe, menjëherë pas sulmeve ajrore të së martës, ministri i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir tha se do të kthehej në koalicionin e Netanyahut.
Ai ishte larguar nga qeveria në janar pasi Izraeli ra dakord për një armëpushim.
Në një takim të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare të enjten, Ben-Gvir tha se ishte “i lumtur të kthehej pas dy muajsh pushim”.
Raportohet se kthimi i Ben-Gvir në qeveri do të vijë si një ndihmë për Netanyahun, i cili duhet të miratojë buxhetin e ardhshëm të Izraelit përpara afatit të 31 marsit ose do të përballet me zgjedhje të reja.