Hamasi ka fajësuar SHBA-të për njohuritë e saj paraprake për bombardimet vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza, duke thënë se kjo “konfirmon partneritetin e saj të drejtpërdrejtë në luftën e shfarosjes kundër popullit tonë”.

Dijenia e Shtëpisë së Bardhë se ishte konsultuar përpara sulmit “ekspozon bashkëfajësinë dhe paragjykimin flagrant amerikan me okupimin”, tha Hamasi, raporton Al Jazeera.

“Me mbështetjen e tij të pakufizuar politike dhe ushtarake për pushtimin, Washington-i mban përgjegjësinë e plotë për masakrat dhe vrasjen e grave dhe fëmijëve në Gaza”, shtoi reagimi i Hamas-it.

Presidenti amerikan Donald Trump i dha Izraelit dritën jeshile për të rifilluar sulmet ndaj Hamas-it pasi grupi terrorist i caktuar nga SHBA-të nuk arriti të dorëzonte pengjet, raportoi Wall Street Journal duke cituar një zyrtar izraelit.

Sipas WSJ-së, Izraeli më pas i dha SHBA-ve një paralajmërim përpara se të fillonte operacionin, shtoi zyrtari.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt konfirmoi për Fox News se Izraeli kishte njoftuar paraprakisht për sulmet.

Ajo paralajmëroi Hamas-in dhe armiqtë e tjerë rajonalë të Izraelit dhe SHBA-ve “do të kenë një çmim për të paguar”.

“I gjithë ferri do të shpërthejë”, tha ajo, duke përsëritur një kërcënim të bërë shpesh nga Presidenti Trump.

Trump ka bërë presion për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe ka kërcënuar vazhdimisht se Hamas-i do të përballet me një rikthim në luftë nëse nuk e zbaton.

Pengët përfshijnë një shtetas të gjallë të SHBA-ve, shtetasin e dyfishtë Edan Alexander, i cili po shërbente në ushtrinë izraelite kur u rrëmbye nga Hamasi.

Nga 59 pengjet që kanë mbetur në Gaza, Izraeli beson se deri në 24 janë ende gjallë.