Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Kenia, duke e cilësuar si një zhvillim tejet pozitiv për vendin.
Ai në një postim në Facebook, vlerësoi rolin e ish-presidentit Behgjet Pacolli në arritjen e kësaj njohjeje dhe theksoi se puna për avancimin e Kosovës duhet të bëhet nga çdo pozitë qoftë brenda apo jashtë politikës, në pushtet apo në opozitë.
“Kjo njohje e re, falë ish-presidentit Behgjet Pacolli, le të jetë një zile alarmi për ata që kanë veshë: për Kosovën duhet të punohet nga çdo pozicion, marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët duhen ruajtur gjithmonë dhe për avancimin e Kosovës duhet të punohet ditë e natë,” ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu kritikoi ata që, sipas tij, nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës, por sot dalin hapur kundër interesave të vendit dhe aleatëve të tij strategjikë.
Kenia është vendi i 118-të që njeh Kosovën shtet. Izraeli ishte vendi i fundit para Kenisë që njohu Kosovën para pesë vjetësh.