Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski, sot në mëngjes ka mbajtur takim koordinues me ekipin që udhëheq hetimin për tragjedinë në Kocan, gjatë të cilit ka kërkuar punë të detajuar dhe efikase për ndriçimin e çdo aspekti të rastit.

Hetimet për zjarrin tragjik në Koçan po zgjerohen me angazhimin e gjithsej 11 prokurorëve publikë, të cilët janë duke punuar intensivisht për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësinë e mundshme për aksidentin, njofton Prokuroria Publike.

Sipas planit të aktiviteteve, prokuroria njoftoi marrjen në pyetje të më shumë se 300 dëshmitarëve, si dhe kryerjen e ekspertizave përkatëse në disa fusha.

“Prokurorët publikë janë duke ndërmarrë aktivitete për sigurimin e provave në terren dhe fokusi është në hetimin e plotë të të gjitha linjave të mundshme të përgjegjësisë”, tha prokuroria.

Gjatë gjithë ditës së sotme ekipi i hetuesve në Koçan do të vazhdojë me mbledhjen e provave materiale, për të marrë një pasqyrë të plotë të ngjarjes që tronditi mbarë shoqërinë. Deri tani janë arrestuar 34 persona për rastin në fjalë ndërsa 16 prej tyre janë në paraburgim .