Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë të “pushtojë territore të reja në Gazë” nëse grupi militant palestinez Hamas nuk i liron të gjithë pengjet e mbetura, ka raportuar “BBC”.
Katz të premten ka deklaruar se ushtria do të vazhdojë operacionet e saj tokësore në Gazë “me intensitet të rritur” derisa të gjitha pengjet e gjalla dhe të vdekura të kthehen.
Kjo paraqet edhe një përshkallëzim tjetër në konfliktin, që rifilloi këtë javë derisa Izraeli ka shkelur armëpushimin, që ishte vendosur nga janari, duke rikthyer fushatën e tij të bombardimeve. Qindra persona janë vrarë që nga prishja e armëpushimit.
“Sa më shumë që Hamasi vazhdon të refuzojë, aq më shumë territor do të humbë nga Izraeli”, ka deklaruar Katz.
Në deklaratën e tij të premten, Katz ka deklaruar se Izraeli u pajtua me një propozim, që është bërë nga i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Steve Witkoff, “për t’i liruar të gjithë të rrëmbyerit, trupat e pengjeve të vdekur dhe të gjallët, në dy faza me një armëpushim në mes”.
“Do të rrisim luftimet me goditje nga ajri, deti dhe toka dhe duke zgjeruar manovrimet në terren derisa pengjet të lirohen dhe të mundet Hamasi”, ka shkruar Katz.
Po ashtu ministri izraelit ka deklaruar se Izraeli do të “implementoj planin e presidentit Donald Trump për transferimin vullnetar të banorëve të Gazës”.
Trumpi më herët ka deklaruar se dëshiron që SHBA-ja të marrë kontrollin dhe ta rindërtojë Rripin e Gazës, derisa në mënyrë të përhershme të zhvendosë popullatën prej dy milionë palestinezëve.
Autoriteti Palestinez dhe Hamasi kanë deklaruar se Gaza nuk është për shitje, derisa Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se çdo zhvendosje me forcë e civilëve është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar dhe është e njëjtë me spastrim etnik.
Muaj të negociatave të udhëhequra nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, arritën një marrëveshje për një armëpushim në tri faza. Izraeli dhe Hamasi dështuan të pajtohen për të avancuar më shumë se nga faza e parë.
Armëpushimi u prish të martën kur Izraeli filloi një valë të madhe të sulmeve në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 430 persona në dy ditë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi. Të enjten, Hamasi ka lëshuar tri raketa në drejtim të Tel Avivit.
Hamasi ka refuzuar çdo marrëveshje për lirimin e pengjeve sipas qeverisë Izraelite, duke e shtyrë qeverinë të reagojë.
Plani stagnoi kur SHBA-ja dhe Izraeli propozuan zgjerimin e fazës së parë. Hamasi ka refuzuar ndryshimin dhe ka deklaruar se është një tentim i hapur nga Izraeli për të shmangur marrëveshjen.
Izraeli ka deklaruar se Hamasi është akoma duke mbajtur 59 pengje, 24 prej të cilëve besohet se janë akoma të gjallë.