Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska paralajmëroi se gjatë këtij mandati do të përfundojnë të gjitha punimet ndërtimore që kanë të bëjnë me objektin e ri dhe tashmë në ndërtim të Fakultetit të Informatikës. Fakulteti në fjalë përfshirë edhe atë të Edukatës Fizike kanë nisur të ndërtohen që nga viti 2015 në kuadër të projektit “Shkupi 2014” por deri më sot pa një përfundim final. Ndërtimi është ndërprerë në vitin 2019 dhe që atëherë, edhe pse janë ndarë mjete buxhetore pikërisht për ndërtimin përfundimtar, në terren nuk është vërejtur asnjë aktivitet ndërtimor. Studentët e FINKI-t, prej vitesh studiojnë në hapësirë të pamjaftueshme, andaj lëvizin vazhdimisht në kampuset fqinje.

“Procedura është në vijim. Atë që mund ta them me siguri është se ndërtesa e FINKI do të ndërtohet gjatë këtij mandati”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk