Janevska: Rritëm pagat e profesorëve universitarë për 14%, presim përkushtim për arsim më cilësor ndaj studentëve

Me paga më të larta për kuadrin akademik dhe buxhet më të madh për UKM, shënojmë pesëvjetorin e themelimit të Unionit të Sindikatave në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në konferencën shkencore “Sfidat e reja në arsimin e lartë dhe lëvizja sindikale”, organizuar me rastin e përvjetorit.
“Po ndërtojmë partneritet me sindikatat. Përmes dialogut konstruktiv social arritëm që të rrisim pagat në arsimin e lartë. Që nga janari i këtij viti, pjesa më e madhe e punonjësve në universitetet shtetërore kanë rritje të pagave bruto, duke përjashtuar përvojën e kaluar, me mesatare prej rreth 14%. Për një pjesë më të vogël të të punësuarve, rritja është mesatarisht rreth 8%,” theksoi Janevska.
Buxheti i UKM-it këtë vit është rritur për 1,5 miliardë denarë. Nga 2,2 miliardë denarë në vitin e kaluar, këtë vit arriti në 3,7 miliardë denarë.
“E gjithë kjo tregon se Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë të vendosura për të bërë hap real përpara në cilësinë e arsimit, përfshirë arsimin e lartë. Prandaj i kemi rritur investimet, por gjithmonë e them qartë se edhe pritjet tona nga komuniteti akademik janë të mëdha”, u shpreh Janevska.
Kjo do të thotë që profesorët universitarë duhet të jenë mentorë të vërtetë për studentët, t’i ndihmojnë ata të fitojnë njohuri dhe aftësi sa më cilësore ndërsa paralelisht dhe në mënyrë të vahdueshme të punojnë në zhvillimin e tyre shkencor dhe të botojnë punime. Janevska potencoi se këto kritere për fitimin dhe mbajtjen e titullit profesor në universitetet e njohura botërore duhet të vlejnë edhe këtu, nëse duam që universitetet tona të jenë të dukshme në listat e më të mirëve. Kështu siç theksoi ajo, nuk është vetëm çështje prestigji, por do t’ju mundësojë studentëve tanë të fitojnë përgatitjen më të mirë për sfidat të cilat do t’i sjellë e nesërmja
Ministrja Janevska kërkoi angazhim të përbashkët të të gjitha palëve relevante për të ndërtuar sistem të arsimit të lartë me programe studimore bashkëkohore, për integrimin e shkencës dhe kërkimit në programet mësimore dhe për përforcimin e bashkëpunimit me komunitetin akademik në vend dhe jashtë vendit.