Autoritetet turke sot ndaluan përkohësisht të gjitha tubimet publike në tre qytetet më të mëdha të Turqisë dhe njoftuan se rreth 1,130 demonstrues janë arrestuar që nga fillimi i valës së protestave në të gjithë Turqinë.

“1,133 të dyshuar janë arrestuar në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera midis 19 dhe 23 marsit 2025”, konfirmoi ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya në llogarinë e tij X.net.

Ndërkohë, opozita turke, e inkurajuar nga protestat masive në të gjithë vendin për arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, shprehu shpresën se do të ruhet momenti i pakënaqësisë mes qytetarëve.

Liderët e opozitës turke kanë bërë thirrje për bojkot të stacioneve televizive dhe kompanive që, sipas tyre, “injorojnë momentin aktual” , raporton Reuters.

Për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si rivali më serioz politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqia po tronditet nga protestat më të mëdha në rrugë në 10 vitet e fundit.

Imamoglu është në burg në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion që ai i mohon me forcë.