Teherani ka paralajmëruar Uashingtonin se do të përgjigjet “me vendosmëri dhe menjëherë” ndaj çdo sulmi të mundshëm, pas kërcënimeve të fundit nga presidenti amerikan, Donald Trump. Mesazhi i Iranit iu përcoll Shteteve të Bashkuara përmes të Ngarkuarit me Punë të Zvicrës në Teheran, që shërben si ndërmjetës diplomatik mes dy vendeve.
Sipas televizionit shtetëror iranian, diplomati zviceran u thirr në Ministrinë e Jashtme të Iranit në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Izraelit në rajon dhe kërcënimeve të Trumpit. Autoritetet iraniane i dorëzuan një notë zyrtare kundërshtimi, duke theksuar se çdo veprim ushtarak i SHBA-së do të përballet me një kundërpërgjigje të menjëhershme.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas deklaratave të presidentit Trump më 7 mars, kur ai njoftoi se i kishte dërguar një letër udhëheqësit iranian, Ayatollah Ali Khamenei, duke e kërcënuar dhe ftuar për negociata. Khamenei e refuzoi ofertën, duke e cilësuar atë si një përpjekje të SHBA-së për të imponuar dominimin e saj mbi Iranin.
Në përgjigje, Irani dërgoi një letër përmes Omanit më 27 mars, duke theksuar se nuk do të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në për sa kohë që Trump vazhdon kërcënimet. Megjithatë, Teherani la të hapur mundësinë për negociata indirekte përmes ndërmjetësve, por vetëm për çështjen bërthamore, duke përjashtuar diskutimet mbi kapacitetin e tij mbrojtës.
Në një deklaratë të fundit, Trump paralajmëroi se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me SHBA-në, ai do të urdhërojë një sulm ushtarak “siç nuk është parë më parë”. Në kundërpërgjigje, Khamenei deklaroi se Irani nuk e sheh të mundur që Trump ta realizojë këtë kërcënim, por paralajmëroi se çdo agresion do të hasë në një përgjigje të fuqishme nga Teherani.