Prokuroria Themelore Publike në Koçan kërkon vazhdimin e paraburgimit për 48 orë të tjera për 16 personat e deritanishëm të përfshirë në procedurë, të cilëve 48 orët e para të paraburgimit ju skadonin sot në mbrëmje, njoftuan nga Prokuroria. Në mesin e atyre që u vazhdohet kjo masë është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, por edhe ish-funksionarë të tjerë të pushtetit të kaluar. Për asnjë nga ata ende nuk ka aktakuzë konkrete, sepse po vazhdon hetimi për mbledhjen e dëshmive.
Ndryshe, në opinion vazhdojnë reagimet dhe dyshimet se si organet kompetente po e zhvillojnë hetimin për tragjedinë në Koçan. Në rrjetin social FB ka reaguar edhe prokurorja Lejla Kadriu, e cila fillimisht ishte caktuar të udhëhiqte rastin me rastin e spitalit modular në Tetovë dhe pas një kohe të shkurtër ajo u zëvendësua me prokuror tjetër. Pikërisht ai prokurori tani është caktuar të jetë pjesë e ekipit që po heton rastin me tragjedinë në Koçan.
“Mua më pezulluan sepse isha shumë e zëshme dhe ju pengoja dhe do duhej gjysma e Qeverisë të përfundonte në paraburgim, në bazë të analizave dhe argumenteve të mbledhura. Tani, prokurori i njëjtë me emrin Dejan është vendosur si ndihmës në Prokurorinë Themelore në Koçan. Tani çfarë duhet të bëhet, dëshmitë, gjurmët dhe përgjegjësinë e cilit person duhet zhdukur, do të shohim!” – tha Lejla Kadriu.
Duke u ndërlidhur me ngjarjen dhe mënyrën se si diskoteka “PULSE” përmes korrupsionit e ka marrë licencën, profesori universitar, Gordan Kallajxhiev thotë se është gënjeshtër se partitë mund të luftojnë korrupsionin. Kallajxhiev ka komentuar edhe ashpërsimin e gjuhës dhe retorikës së kryeministrit.
“Njëri kryeministër thoshte “Do ju hamë të gjallë”, tjetri, “Do ju nxjerrim për veshësh nga shtëpia”, çfarë bëmë ne, për ta merituar këtë. Mos u mashtroni, partitë nuk mund ta luftojnë korrupsionin, ata janë foleja e vet korrupsionit. Vetëm një prokuror i pavarur mund ta udhëheqë këtë “luftë”, ka shkruar Kallajxhiev.
Ndryshe, kryeministri Mickovski në paraqitjen e tij të fundit para mediave fajin për tragjedinë ia hodhi ligjit të miratuar në vitin 2007, kur pikërisht partia të cilën ai e drejton ka udhëhequr me pushtetin.
“Me ndryshimet e ligjit, personi juridik dorëzon deklaratë nën përgjegjësi materiale dhe penale se i plotëson kushtet për punë. Po ju them se pikërisht këtu janë bërë lehtësimet me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit në vitin 2007. Personi juridik vetë ai pohon se i plotëson kushtet për punë vetëm me një deklaratë dhe askush nuk e kontrollon, ashtu qëndron në ligj. Nëse dikush e denoncon atëherë mund të kontrollohet” – tha Mickoski.
Dyshimet në opinion se në mesin e të arrestuarve për rastin Koçani janë rritur. Dje protestuan edhe familjarët e anëtarëve të sigurimit të Klubit të natës, duke pretenduar se ata padrejtësisht po mbahen në paraburgim duke pasur parasysh faktin se ata kanë shpëtuar shumë jetë në natën tragjike. Në mesin e të arrestuarve është edhe shitësi i biletave, por edhe ish-zyrtar dhe punonjës të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inspektoratit të Shtetit. /tvklan.mk/