Kryeministri Hristijan Mickoski, qeveria e të cilit kishte nisur procedurën për shkarkimin e prokurorit publik republikan Ljubomir Kocevski, tani i jep atij një shans për të punuar. Sipas Mickoskit, procedura do të ndalet në fazën ku ndodhet aktualisht, pra në Këshillin e Prokurorëve.

“Në këtë moment, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, planifikojmë ta ndalim këtë procedurë aty ku është, sepse vlerësojmë që prokurorët që po punojnë, veçanërisht për rastin që ndodhi në Koçan, duhet të vazhdojnë punën e tyre. Kur thashë se jemi të kënaqur, në fakt pashë që kishte një veprim të përbashkët dhe bashkëpunim mes MPB-së dhe Prokurorisë Publike, gjë që rezultoi me sigurimin e 34 personave që dyshohen për lidhje me këtë rast. Por do ta përsëris, nuk do të ndalemi këtu, rasti do të zgjerohet”, tha Mickoski.

Megjithatë, Mickoski ka edhe pritshmëri të tjera nga Kocevski.

“Publiku është i ndjeshëm ndaj disa rasteve nga e kaluara, prandaj do të presim të shohim nëse Prokuroria Publike ka ambicie të konstatojë parregullsi nga e kaluara dhe nëse mund të rishikojë ato raste, për të parë nëse të gjithë jemi për drejtësi apo ajo do të mbetet selektive. Të shohim nëse ajo drejtësi është ndonjëherë e arritur apo selektive. Si qeveri, e inkurajojmë të lëvizë në atë drejtim dhe që secili që ka bërë ndonjë gabim të ndëshkohet”, tha Mickoski.