Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Certifikimi u bë pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 27mars:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 42.30% të votave,
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.95%,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.27%,
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06% të votave.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26% të votave.
Bazuar në këto përqindje, LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 vende.
Këto rezultate nënkuptojnë se asnjëra parti nuk mund të formojë e vetme Qeverinë, duke bërë të domosdoshme krijimin e koalicioneve për formimin e ekzekutivit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur preferencën për të formuar Qeverinë me partitë joshumicë, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.