Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të premten se një takim midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me marrëveshjen e paqes në Ukrainë është i mundur, dhe se do të organizohet kur i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, do t’ia transmetoj të gjitha informatat e nevojshme shefit të tij.

Witkoff ishte në vizitë zyrtare në Moskë të enjten dhe autoritetet ruse kanë konfirmuan takimin e tij me presidentin Vladimir Putin si dhe me zyrtarë të tjerë.

Peskov ka thënë para gazetarëve se “kur zotëri Witkoff t’ia transmetoj të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do ta përcaktojmë kohën e takimit (midis Trumpit dhe Putinit), shkruan The Guardian.

“Ka një dakordim nga të gjitha palët se një diskutim i tillë është i nevojshëm. Ka arsye për të qenë optimistë por me dozë të kujdesit”, ka shtuar Peskov.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar presidentin rus se pohimi i tij mbi marrëveshjen e armëpushimit ishte “shumë manipulativ”, duke thënë se Putini po bënte gjoja thuajse dëshiron ta pranojë, dhe se sipas Zelenskyt “ai është, në fakt, duke u përgatitur që ta refuzojë armëpushimin”.

“Putini e bën këtë shpeshherë – ai nuk të thotë ‘jo’ menjëherë, por i zvarrit gjërat dhe i bën zgjidhjet racionale të duken si të pamundura”, ka shtuar ai.