Për të tretën natë radhazi, demonstruesit janë grumbulluar në rrugët e Turqisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë për shkak të arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Protestuesit u mblodhën në Stamboll, Ankara dhe Izmir, pavarësisht ndalimit të protestave, sipas mediave lokale. Në Stamboll, ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër demonstruesve që tentuan të kalonin bllokadën policore. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, njoftoi se 97 persona u arrestuan gjatë protestave që vazhduan deri pak para mesnatës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e cilësoi këtë si “terror të rrugës” dhe akuzoi opozitën se po përpiqej të krijonte “kaos”. “Ne nuk do të pranojmë shkatërrimin e pronës publike dhe trazira nën asnjë rrethana,” tha Erdogan.

Imamoglu u arrestua të mërkurën, disa ditë para se të ishte nominuar si kandidat për president nga partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP). Ai akuzohet për terrorizëm dhe korrupsion, ndërsa opozita thotë se është një persekutim politik ndaj një kundërshtari të Erdoganit. Imamoglu pritet të dalë para gjykatës sot.