Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një përgjigje për Express ka folur për vendimin e kryeministrit Albin Kurti për të mos e respektuar Ligjin e ri për Qeverinë, që obligon anëtarët e qeverisë që kanë fituar votat për deputet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, meqë konsiderohet se mandati i deputetit fillon në momentin kur certifikohen zgjedhjet, shkruan Express.

Ai thotë se meqë Kurti po konstaton vetë që mandati i qeverisë ka përfunduar me datë 23 mars, atëherë i bie që ai është dashur të japë dorëheqje ditën e djeshme.

Cakolli thotë se neni 26 i Ligjit të ri thotë se anëtarët e qeverisë në detyrë, pra në statusin që ata e kanë sot, duhet të japin dorëheqje.

“Në aspekt të vetë dorëheqjes është neni 28, 29, 30, 31 që flasin për mandatin dhe qeverinë, mandatin dhe dorëheqjen, para tyre është neni 26 qe thotë se anëtarët e Qeverisë në detyrë, në statusin që e kanë sot, ministrat dhe vetë kryeminsitri, duhet të japin dorëheqje. Meqë Kurti po konstaton që mandati ka përfunduar më 23 mars, i bie që ai dje është dashur të japë dorëheqje, dhe jo që ta lërë këtë çështje në kuadër të diskrecionit të tij për qeveri kalimtare. Sepse qeveria si e tillë, përkatësisht vetë kryeministri dhe deputetët tjerë që kanë pasur poste ministrore, kanë papajtueshmëri të mandatit nëse shkojnë në Kuvend duke mbajtur dy mandatet, edhe atë të ministrit. Prandaj ka qenë në diskutime për ligjin për qeverinë, që të shtohet kjo dispozitë, që t’iu kërkohet anëtarëve të qeverisë të japin dorëheqje, jo pra që të përmbyllet mandati i tyre, sepse dispozita flet për qeverinë në detyrë apo dorëheqje, që të njëjtit duhet të japin efektvisht dhe formalisht dorëheqje, duke mos e lënë vetëm në kuadër të përfundimit të rregullt ta mandatit”, ka thënë Cakolli për Express.

Ai ka thënë se fatkeqësisht kjo s’ka pasoja ligjore meqë është vetëm çështje administrative.

”Fatkeqësisht kjo çështje është administrative, që s’prodhohen pasoja ligjore, por që gjatë verifikimit të mandateve në Kuvend, kur të jepet betimit, unë besoj që Komisioni përkatës në kuadër të kontrollit, duhet të verifikojë edhe këtë aspekt dhe të shohim nëse të njëjtit kanë papajtueshmëri të mandatit, siç unë besoj është rasti në këtë situatë”, ka shtuar tutje ai.

Kurti në një reagim të para pak minutave, ka thënë se sipas Ligjit për Qeverinë, Mandati i Qeverisë ka përfunduar më 23 mars, dhe se s’ka nevojë për aktin formal të dorëheqje prej posteve.

“Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen”, ka shkruar Kurti.