Kuvendi sot pritet të mbajë seancën e 40-të, ku në rend dite janë pesë interpelanca për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi – Vesna Dameva, Pavlina Crvenkovska, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi.
Pas nismës, e cila u dorëzua më 7 shkurt, kanë qëndruar 67 deputetë nga shumica qeverisëse, por për shkarkimin e tyre do të duhet të vendosin vetë anëtarët, ashtu siç e parashikon edhe Ligji për Këshillin Gjyqësor.
Në arsyetimin e interpelancave, të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit, theksohet se ato janë dorëzuar për shkak të mospërmbushjes së kompetencave, neglizhencës, dëmtimit të reputacionit të gjyqtarëve dhe cenimit të besimit të qytetarëve ndaj gjyqësorit, duke ndikuar kështu në të gjithë sistemin e drejtësisë.