Më 17 mars, 32 vjeçari Vedat Ademi, ndërroi jetë në Spitalin e Kumanovës. Pas akuzave nga familjarët për keqtrajtimi mjekësor, u shkarkua drejtori i këtij spitali. Familjarët përmes një letre publike, urojnë që kjo dhimbje familjare të jetë si “fener” për përmirësimin e gjendjes në shoqëri.

“Duke qenë të vetëdijshëm për humbjen dhe dhimbjen që kemi si familje shpresojmë që Vedati të jetë sakrifica e fundit i një sistemi të rrënuar dhe të bëhet feneri i cili do të ndriçoj mendjet dhe funksionimin e një mentaliteti kolektivë në përgjegjësi, llogaridhënie dhe veprim në përmirësimin e mirëbesimit në institucione dhe organe ligjvënëse”, deklarojnë familjarët në Letrën Publike.

Familja Ademi falënderoi mediat dhe miqtë që ishin afër tyre në këtë periudhë të vështirë.

“Falënderojmë gjithashtu mediumet, portalet dhe shumë personalitete publike dhe politike të cilët sensibilizuan, informuan dhe u solidarizuan me dhembjen tonë.

Ata shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet për zbardhjen e rastit, përkundër asaj se ‘drejtësia nuk gëzon besueshmëri’.

“Kërkojmë transparencë në hetim të bindur në ndriçimin e rastit edhe pse drejtësia nuk gëzon besueshmëri dhe se është e politizuar edhe ku është përzier politika aty nuk ka pasur drejtësi”, shprehen familjarët.

Kujtojmë se 32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Portalb.mk bisedoi me Amet Ademin babain e 32-vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi dhe Sead Ademin vëllaun e të ndjerit, ata thonë se i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik, dhe se për këtë fajësojnë mjekun i cili ishte kujdestar.

Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe presin rezultatet. Në lidhje me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë, Arben Taavari më 19 mars e ka shkarkuar drejtorin Trajanovski.