“Luftë” tregtare/ BE përgatit kundërpërgjigjen nëse Trump aplikon tarifën 25% për makinat e importuara

Bashkimi Evropian deklaroi se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përmbahen planit të tyre për të vendosur një tarifë 25% për makinat e importuara, ajo do të përgjigjet me masa që synojnë të maksimizojnë ndikimin në Shtetet e Bashkuara duke minimizuar efektet në ekonominë e BE-së.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me kundërmasat e mundshme, por tha se “një listë përfundimtare e produkteve ishte përzgjedhur me kujdes dhe do t’u propozohej vendeve anëtare’’.
Ai shtoi se ndërsa po punohet për kundërmasat, BE do të vazhdojë të angazhohet në një zgjidhje të negociuar. Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara janë padyshim më të vlefshmet dhe më të rëndësishmet në botë.
Blloku po kërkonte të zgjeronte këtë marrëdhënie, jo ta shkatërronte atë, shtoi zëdhënësi.
Ai vuri në dukje, megjithatë, se Trump pritet të shpallë tarifa të reja të tjera të importit në javën e ardhshme.