Mickoski me porosi: Askush nuk duhet të përpiqet të luajë në baza politike dhe etnike, nuk kam mëshirë dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi

“Kemi marrë informacione se gjithsej 12 licenca kabare janë lëshuar për vitin 2024, dhe tani ju mund të merrni me mend se sa klube punojnë në të gjithë shtetin. Vetëm 12 kanë licenca, e prej tyre nuk e dimë se sa janë të vlefshme, sepse supozoj se disave ju ka skaduar afati, sepse janë të vlefshme për 1 vit”, thotë Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes se a ka informacione se sa licenca të tilla ka në shtet.
Mickoski theksoi se nuk do të ketë mëshirë dhe ngjarjen në Koçan e quajti vrasje masive, për të cilën tha se dikush e ka lejuar të ndodhë për para dhe korrupsion.
“Na pret shumë punë. Është e qartë se dikush nuk e ka bërë punën dhe tani po përpiqet të mbulojë punën kriminale që kanë bërë vitet e fundit derisa ka drejtuar atë institucion nën një lloj politizimi. Nuk do të ketë mëshirë. Le të jetë kush të dojë, çfarëdo etnie të dojë dhe çfarëdo partie politike të dojë. Ajo që ka ndodhur është më shumë se një krim, kjo është një vrasje masive që dikush e ka lejuar të ndodhë për para, për ryshfet, për korrupsion”, tha ai.
Mickoski tha se askush nuk duhet të përpiqet të luajë me kartën etnike, por se kushdo që ka gabuar do të mbajë përgjegjësi.
“Tu përgjigjem atyre që bëjnë konferenca për shtyp në mesnatë, këtu nuk ka politikë, do të mbani përgjegjësi të gjithë që keni guxuar të bëni politikë në këtë mënyrë, në kurrizin e qytetarëve dhe jetëve që humbën këta fëmijë. Dhe nuk do të ketë mëshirë, do t’i nxjerrim nga shtëpia. Nëse ata mendojnë se do të përpiqen të luajnë në kartën etnike dhe të luajnë politikë siç u përpoqën dje, me ato konferencat për shtyp të mesnatës.
Për veshë do t’i nxjerrim nga shtëpia. Këtë duhet ta dine”, është i vendosur Mickoski.