Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me planet e Qeverisë për mbështetjen e Koçanit, përveç ndihmës për familjet e të lënduarve dhe viktimave në tragjedinë e madhe, deklaroi:

“Absolutisht po. Absolutisht po, Koçani do të jetë prioriteti ynë kryesor në periudhën që vijon, ashtu siç ishte edhe në të kaluarën. Mjetet do të rriten në periudhën që vijon në pjesën e investimeve në Koçan, por gjithashtu do të jetë prioritet edhe sigurimi i investitorëve dhe krijimi i vendeve të reja të punës me paga të mira në të ardhmen. Tashmë po bisedojmë dhe negociojmë me dy kompani të tilla, megjithëse vendet e investimeve ishin të përcaktuara më parë, tani ato do të ridestinohen në Koçan, në zonën atje. Por, gjithashtu, edhe ne si Qeveri, përmes këtij projekti për të cilin po flasim sot, do të ndajmë dy deri në tre herë më shumë mjete për Koçanin, në pjesën e investimeve në projektet infrastrukturore.

Njëkohësisht, vazhdojmë të kujdesemi për të gjithë ata persona të lënduar. Mund të them se kanë kaluar ato dy periudha kritike, ndoshta më kritiket – 72 orët dhe 7 ditët e para. Nga ato gati dyqind të lënduar, shumica e të cilëve kanë djegie nga 50% deri në 80%, pavarësisht gjendjes së rëndë, të gjithë janë për momentin në gjendje stabile edhe pse kemi 5 ose 6 raste të cilat janë kritike, por po luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë.

Ky ishte reagim i saktë dhe i shpejtë, dua të falënderoj ekipet mjekësore që dhanë ndihmën e parë të nevojshme si në Koçan, ashtu edhe në Shtip dhe Shkup. Falënderim edhe për të gjitha institucionet që ndihmuan. Atë ditë gjithçka funksionoi në mënyrë të përsosur, si edhe në ditët pas saj. Të gjithë ne u kemi borxh një falënderim të madh.

Të gjithë ata persona, e që janë më shumë se njëqind, tashmë janë jashtë, të përkujdesur, secili me nga dy anëtarë të familjes së tij. Si Qeveri, ne kemi siguruar transportin dhe akomodimin e tyre dhe do të vazhdojmë të kujdesemi për ta. Sipas informacionit nga Ministria e Shëndetësisë, një pjesë e pacientëve do të fillojnë të kthehen, ndërsa ata që janë të hospitalizuar tek ne, pas trajtimit, do të dalin dhe do të vijojnë mjekimin në shtëpi.

Kështu që, me ndihmën e Zotit, shpresoj që gjithçka të shkojë sa më mirë në këtë situatë. Vazhdojmë të kujdesemi edhe për të gjithë ata që, për fat të keq, viktima të pafajshme, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike, për familjet e tyre, si dhe për gjithçka tjetër ku Qeveria mund të ndihmojë në periudhën që vjen, do të ndihmojë.”