Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes së tij në “Samo intervju” në televizionin Kanal 5, paralajmëroi protesta nëse gjyqtarët e korruptuar, ndaj të cilëve është votuar mosbesimi në Kuvend, nuk japin dorëheqje, ndërsa në ato protesta tha se do të jetë në radhët e para.
“Do t’u ndodhë popull, do të dalë populli në rrugë dhe do të protestojë. Populli është i uritur dhe i etur për drejtësi. Imagjinoni, qytetarët kanë më pak se 2 ose 3% besim tek ju, ju shkarkojnë dhe ju nuk largoheni, por tregoni inat. Do t’u ndodhë populli! I pari do të dal dhe do ta udhëheq popullin, premtoj se kjo do të ndodhë,” theksoi kryeministri Mickoski.
Sa i përket atyre që do t’i zëvendësojnë gjyqtarët e korruptuar, Mickoski tha se do të ketë diskutime, por një gjë është e sigurt – nuk do të jetë njësoj, nuk do të ketë njerëz të tillë për të cilët ka prova, sepse drejtësi nuk mund të ketë me gjyqtarë, prokurorë apo anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që vijnë nga selitë e partive.
“Këtu ka njerëz për të cilët ka prova se kush janë dhe çfarë janë. Në fund të ditës, të gjitha këto procese që po i udhëheqim, nuk i udhëheqim që gjithçka të mbetet njësoj, nuk kam arsye që të jetë njësoj, vetëm me njerëz të rinj. Kemi raport nga Misioni Vlerësues i cili jep qartë udhëzime se si duhet të ecin reformat dhe ne do t’i implementojmë ato. Do t’i përmbahemi raportit, vetëm që diçka të ndryshojë, sepse kështu nuk shkon më, nëse duam të kemi shtet. Unë dua që ne të kemi shtet dhe që fëmijët e mi të rriten dhe të krijojnë familje këtu, unë do të luftoj për një shtet të tillë”.