Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nuk ka komentuar paralajmërimet e euroambasadorit Mihalis Rokas, i cili tha dje se, ka aktivitet intensiv diplomatik për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë, në atë drejtim liderët e Bashkimit Evropian do ta vizitojnë Shkupin në muajt e ardhshëm dhe në dy tre muajt e ardhshëm do të ketë përparim në këtë çështje. Por, Micksoki tha se, debllokimi i mundshëm i procesit nuk varet prej Maqedonisë së Veriut, por prej disa faktorëve të tjerë. Ai shtoi se, anëtarësimi në BE është qëllim strategjik i vendit, por procesi duhet të bazohet në merita.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut
“Qytetarët e Maqedonisë dhe shteti në tërësi, presin një rrugë reale drejt BE-së, diçka që e kemi pritur për më shumë se dy dekada dhe e cila do të bazohet në kriteret e Kopenhagës, në një sistem të bazuar në merita dhe as më shumë e as më pak se çfarë morën të gjitha ato shtete anëtare që u anëtarësuan, dhe jo në bilateralizimin dhe zgjidhjen e kontesteve bilaterale. Ne nuk duhet të lejojmë që e ardhmja e Evropës të jetë e varur nga zgjidhja e çështjeve bilaterale që nuk kanë të bëjnë me shekullin 21, por janë të lidhura me diçka që ka ndodhur në Mesjetë”.
Në lidhje me reagimin e fundit të MPJ-së bullgare, të cilët akuzuan Mickoskin se, promovon teza manipulative dhe të rreme, të cilat mund të konsiderohen si ndërhyrje reale në punët e brendshme të Bullgarisë, kryeministri tha se, i vjen keq që ministri i ri i jashtëm bullgar “harron që, politikat e fqinjësisë së mirë janë themeli i një perspektive evropiane dhe se jemi partnerë në NATO”. Ndërkohë, nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë kanë reaguar , duke thënë se, Bullgaria po përpiqet edhe një herë që përgjegjësinë për mospërmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare ta bartë mbi vendin tonë.
MPJ
“Zotohemi fuqishëm për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut të barabartë, sjelljes së përgjegjshme, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Në këtë drejtim presim një qasje po aq konstruktive nga Republika e Bullgarisë, bazuar në respektimin e plotë të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, sepse kjo është në interes të qytetarëve tanë, në interes të të dy vendeve dhe në mbështetje të forcimit të paqes rajonale, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës së përbashkët evropiane”.
Përplasjet mes Shkupit dhe Sofjes, erdhën pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Mickoski, i cili kërkoi njohjen e aktvendimeve të Strasburgut për komunitetin maqedonas në Bullgari dhe njohjen e gjuhës, kulturës dhe veçantisë maqedonase.