Mickoski: Zhvillimi i linjave të reja ajrore është një investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë, turizmit dhe bashkëpunimit tone ndërkombëtar

Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot qëndrojmë para jush me krenari dhe ambicie të madhe – zhvillimi i linjave të reja ajrore nuk është vetëm çështje teknike, por një investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë sonë, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shteti ynë, me lokacionin e vet strategjik në Ballkan, ka potencial që të bëhet qendër e rëndësishme për trafikun ajror. Prandaj, Qeveria jonë po punon në mënyrë aktive në:
Hapjen e linjave të reja ajrore – Përmes partneriteteve me kompani ajrore të njohura si “Turkish Airlines”, sigurojmë fluturime direkte drejt destinacioneve kyçe evropiane dhe botërore.
Nxitjen e transportuesve të lirë– Kjo do të mundësojë bileta më të përballueshme për qytetarët tanë dhe do të tërheqë më shumë turistë dhe investitorë.
Modernizimin e aeroporteve – Përmirësimi i kapaciteteve dhe shërbimeve në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit do të krijojë kushte për rritje të numrit të fluturimeve.
Promovimin e vendit tonë si qendër për transport ajror – Po punojmë në marrëveshje ndërkombëtare dhe iniciativa që do ta rrisin atraktivitetin e vendit tonë për udhëtime biznesi dhe turistike.
Hapja e linjave të reja ajrore do të thotë lidhje më të shpejtë dhe më të lehtë me botën, rritje të turizmit, mundësi të reja ekonomike dhe përmirësim të imazhit të shtetit tonë.
Vendi ynë ka potencial të madh turistik. Nga malet piktoreske, liqenet e bukura dhe trashëgimia kulturore e pasur, deri te ngrohtësia dhe mikpritja e qytetarëve tanë – e gjithë kjo e bën Maqedoninë një destinacion atraktiv për vizitorë vendas dhe të huaj.
Për këtë arsye, Qeveria jonë po punon në mënyrë aktive për të krijuar politika dhe masa që do ta nxisin sektorin turistik.
Po investojmë në rrugë, aeroporte dhe lidhje hekurudhore për ta bërë vendin tonë më të qasshëm për turistët.
Po punojmë gjithashtu në promovimin e Maqedonisë si destinacion turistik dhe në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në turizëm.
Qëllimi ynë është i qartë – ta bëjmë Maqedoninë jo vetëm një vend për ta vizituar, por edhe një vend ku turistët do të kthehen përsëri dhe përsëri.
Hapi i sotëm është vetëm fillimi. Besojmë se me përpjekje të përbashkëta do të krijojmë një Maqedoni më të fortë, më të qasshme dhe globalisht të lidhur.
Ju faleminderit!”