Në lidhje me protestat e paralajmëruara në komunën e Manastirit për datën 15 mars 2025, lidhur me lokacionin e deponisë rajonale në komunën e Novacit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon:

1. Për ndërtimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave nevojiten mjete financiare të mëdha, të cilat komunat nuk kanë kapacitet t’i sigurojnë. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) ka punuar në periudhën e kaluar për sigurimin e këtyre mjeteve dhe për përgatitjen e dokumentacionit planifikues për realizimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave, i cili si model është sistemi i vetëm ekonomikisht i arsyeshëm me të cilin do të arrihen rezultate të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njerëzve, dhe nuk do të jetë një barrë financiare e madhe për qytetarët. Projekti për ndërtimin e kësaj deponie të re sanitare u përgatit në qershor 2017 në kuadër të një projekti të financuar nga BE, dhe më pas u rishikua në vitin 2021 në kuadër të ndihmës teknike të financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Disa nga fondet u siguruan si grant përmes fondeve IPA, dhe më pas u nënshkrua një kontratë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për realizimin e një projekti të ndihmës teknike që dha udhëzime për mënyrën e financimit të sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave për katër rajone. Këtu përfshihet edhe rajoni i Pelagonisë, i cili së bashku me rajonin Jugor-Përëndimor përbëjnë një rajon për menaxhimin e mbeturinave. Me rekomandimin e EBRD, deponia e Novacit, në vend që të pranojë mbeturina vetëm nga 9 komunat e rajonit të Pelagonisë, do të pranojë mbeturina nga 18 komunat e të dy rajoneve. Kjo është përcaktuar me Planin për Menaxhimin e Mbeturinave të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2021-2031, i cili gjithashtu u diskutua në debatet publike, ku u njoh publiku i gjerë dhe më pas u miratua nga Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Paralelisht me këto procese, po zhvillohet edhe një projekt i financuar nga Qeveria e Suedisë (nga viti 2023), i cili ndihmon të gjitha komunat e rajonit të Pelagonisë dhe rajonit Jugperëndimor të përgatiten për menaxhimin e ri rajonal të mbeturinave, si dhe projekti për forcimin e kapaciteteve të komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale për përgatitjen për funksionimin e sistemit të ri rajonal me hua nga EBRD. Këto janë procese që zgjasin për vite dhe në to komunat marrin pjesë së bashku me ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë në vendosjen e këtij sistemi. Pra, në krijimin e sistemit rajonal janë investuar burime të mëdha financiare dhe potencial njerëzor dhe është e nevojshme që një herë e përgjithmonë ky proces të përfundojë dhe menaxhimi i mbeturinave të realizohet në mënyrë të përputhshme me standardet europiane dhe ndërkombëtare.

2. Deponia rajonale është parashikuar të ndërtohet në tokë të dëmtuar/ të shkatërruar, e cila me këtë shfrytëzim do të sjellë dobi për popullatën dhe për mjedisin. Studimi për sistemin rajonal është në përputhje me Direktivën e BE-së 2014/52/BE për vlerësimin e efekteve të disa projekteve publike dhe private në mjedis dhe me legjislacionin kombëtar maqedonas. Në deponi do të përfundojë jo më shumë se 50% e mbeturinave që krijohen nga të gjitha komunat, pasi sistemi rajonal parashikon selektimin primar të mbeturinave që mund të riciklohen dhe që do të përfundojnë në instalacione për përpunim. Me ndërtimin e deponisë sanitarie rajonale do të krijohen kushte për menaxhim të mirë dhe të kontrolluar të mbeturinave, si zgjidhje për problemet aktuale mjedisore dhe shëndetësore që rrjedhin nga qindra deponitë e egra në rajonin e Pelagonisë dhe sidomos nga ndikimi dëmtues i vendndodhjes ekzistuese për heqjen e mbeturinave në Meglenicë, e cila përdoret nga komuna e Manastirit.

3. Struktura investuese për themelimin e këtij sistemi themelor të përbashkët për menaxhimin e mbeturinave për Rajonin Jugperëndimor dhe rajonit të Pelagonisë është 30.1 milionë euro, mjete që komunat në këto rajone nuk mund t’i sigurojnë vetë. Me këto mjete do të financohet ndërtimi i sistemit rajonal (deponia rajonale dhe stacionet e mbledhjes (Dibër, Ohër dhe Prilep), sisteme për ruajtjen e mbeturinave, mbledhja e mbeturinave voluminoze, mbyllja e deponisë jo-standarde në Novaci (Meglenicë); mbikëqyrja e punëve për mbylljen e deponisë, ndërtimi i një deponie të re dhe ndërtimi i stacioneve të transferimit dhe ndihmë teknike. Po ashtu, me këtë huamarrje janë duke u zhvilluar procedura tenderimi për blerjen e 83 automjeteve për mbledhjen e mbeturinave, 54,908 kova me kapacitet 120 litra dhe 1,164 kontejnerë me kapacitet 1.1 m3. Përveç kësaj, do të blihet pajisje për stacionet e mbledhjes me 26 kontejnerë presues, 16 kontejnerë të hapur, 8 kamionë dhe 4 kamionë për mbeturina voluminoze. Qeveria ka marrë një vendim për financimin e një rruge të re që do të çojë deri te lokacioni i deponisë rajonale, e cila nuk do të kalojë përmes komunës së Manastirit dhe komunës së Novacit.

4. Nga këtu, MMJPH mendon se vendimi për protestat është i pabazë, pasi qytetarët e komunës së Manastirit nuk janë mjaftueshëm të informuar për këtë projekt dhe është në dispozicion që të organizohen takime shtesë me qytetarët, ku së bashku me ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas do të prezantohen përfitimet nga ky sistem i planifikuar për menaxhimin rajonal të mbeturinave.