Ish-kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, kërkon që Qeveria të ndërpresë negociatat me kryetarin aktual të LSM-së, Sllobodan Trëndafillov, në kuadër të Këshillit Ekonomiko-Social. Ai thotë se ai nuk është kryetar legjitim dhe vendimet nuk do të jenë të vlefshme. Mitrevski doli me akuza se kryetari në detyrë Trëndafillov është zgjedhur në mënyrë jolegjitime me dokumente të falsifikuara. Mitrevski pohon se me largimin e detyrës ka lënë mbi 600 mijë euro në llogarinë e sindikatës, për të cilat thotë se nuk është e qartë se ku kanë përfunduar. Kryetari aktual i LSM Trëndafillov me një koment të shkurtër tha se punëtorët aktualisht janë më të rëndësishëm se Zhivko.
“Informacionet e fundit që kemi marrë në lidhje me paligjshmërinë e Sllobodan Trëndafillov konfirmojnë edhe një herë tezën se ai ka falsifikuar dokumente, në kuptimin se ai është paraqitur në mënyrë të rreme si person i autorizuar për përfaqësim, ka nënshkruar dokumente për të thirrur një Kongres në të cilin gjoja është zgjedhur, delegatë që nuk mund të jenë delegatë”, u shpreh Zhivko Mitrevski – ish-kryetar i LSM.