MSH: Rehabilitimi i pacientëve me djegie të rënda mund të kryhet vetëm nga kuadri i specializuar mjekësor

Rehabilitimi mjekësor, veçanërisht tek pacientët me djegie të rënda dhe lëndime të rënda, paraqet aktivitet rreptësisht të rregulluar shëndetësor, që mund të kryhet vetëm nga institucionet shëndetësore dhe kuadri i specializuar mjekësor. Fizioterapia e papërshtatshme pa vlerësim mjekësor mund të çojë në pasoja të padëshirueshme për shëndetin e pacientëve dhe veprime të tilla janë të dënueshme sipas Ligjit për mbrojtje shëndetësore, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Prej aty theksojnë se sistemi shëndetësor ka kapacitete adekuate dhe kuadër profesional mjekësor, i gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave për kujdes emergjent mjekësor, rehabilitim dhe fizioterapi afatgjatë.
“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe profesionistëve mjekësorë që të vazhdojnë punën e koordinuar dhe profesionale për të siguruar kujdes të sigurt dhe cilësor për të lënduarit”, njofton Ministria e Shëndetësisë.