Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të kërkojë falje pasi takimi i tij me Presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale u shndërrua në atë që Rubio e përshkroi si një “fiasko”, ndërsa pyeti nëse lideri ukrainas dëshiron vërtet paqe në luftën e vendit me Rusinë.

“Ai duhet të kërkojë ndjesë për humbjen e kohës sonë me një takim që përfundoi në këtë mënyrë,” tha Rubio në një intervistë për CNN.

Ai shtoi se “Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk e sheh të mundur diskutimin për garanci sigurie për Ukrainën pa arritur më parë një marrëveshje paqeje.” Sipas Rubio;

“Pse duhet të flas për garanci sigurie për Ukrainën? Së pari, më lini të arrijmë një marrëveshje paqeje,” tha Rubio, duke përcjellë qëndrimin e Trump.

“Kjo nuk do të thotë,” shtoi ai, “që garancitë nuk mund të përfshihen si pjesë e negociatave, por më parë duhet të ketë një marrëveshje. Çfarë paqeje ka për të garantuar nëse nuk ka ende një marrëveshje paqeje?”

Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, tha se Trump nuk është i interesuar të rishikojë marrëveshjen për mineralet e rralla me Ukrainën për momentin. Sipas këtij zyrtari, përfaqësuesit e delegacionit ukrainas “filluan të luteshin” për të firmosur marrëveshjen menjëherë pasi u ftuan të largoheshin nga Shtëpia e Bardhë.

Po ashtu, agjencia Interfax raportoi se Trump deklaroi se Ukraina duhet të drejtohet nga dikush që është i gatshëm për paqe pas përplasjes në zyrën ovale.