Reperi i njohur nga Fero ka shpërthyer në rrjete sociale me një seri postimesh emocionale ku denoncon mungesën e të drejtës për të parë vajzën e tij, Ninën, duke e quajtur situatën që po kalon “një padrejtësi të rëndë”.

Në një reagim të ndarë në katër pjesë në Instagram, ai shpreh zhgënjimin ndaj sistemit gjyqësor në Kosovë dhe ndjesinë e pafuqisë përballë mungesës së kontaktit me fëmijën e tij.

> “Kam bërë shumë përpjekje… vetëm prindërit që kanë kaluar në këtë fazë e kuptojnë dhimbjen dhe sa i pafuqishëm ndjehesh kur nuk mundësohet asnjë formë kontakti me fëmijën tënd,” shkruan ai në pjesën e parë të deklaratës së tij publike.

Fero kritikon gjykatat që sipas tij “kanë dështuar të marrin masa ndaj shkeljeve të vendimeve të tyre” dhe shprehet se drejtësia në Kosovë “funksionon vetëm për ata që kanë para”. Ai bën të ditur se tani është përfaqësuar nga avokatja Bedrije Rexhepi, ndërsa akuzon edhe ndikimin politik, duke përmendur “motrën e presidentes” si pjesë të palës tjetër në procesin ligjor, të cilën e quan faktor në shtrembërimin e drejtësisë në këtë çështje.

> “Unë asnjëherë nuk do të lejoj që vajza ime të rritet pa praninë time,” thekson ai.

Në pjesën e tretë, Fero ndalet edhe tek rikthimi i tij në muzikë, i cili ka qenë temë diskutimi në rrjete sociale. Ai sqaron se nuk i detyrohet askujt llogari për zgjedhjet e tij personale, duke shtuar se vendimet e tij janë në përputhje me besimin që ai ndjek.

> “Unë e kuptoj shumë mirë se çfarë është e ndaluar dhe e lejuar në besimin tim,” shkruan ai, duke theksuar se përgjegjësinë e ka vetëm para Krijuesit të tij.

Në mesazhin përmbyllës, Fero shpreh bindjen se e vërteta një ditë do të dalë në dritë, dhe se muzika e tij do të mbërrijë në veshët e vajzës së tij, për t’i treguar asaj se kush kishte të drejtë.“Të gjithë ne jemi të gabueshëm, ndërsa i pagabueshëm dhe i përsosur është vetëm Zoti i Lartësuar,” përfundon ai, duke falënderuar publikun që ka qëndruar pranë tij në këtë periudhë të vështirë.