Një ulëse është e zbrazët në dhomën e zhveshjes së KF Shkupi. Ata kanë festuar shumë herë fitore së bashku, por sot është qetësi dhe dëgjohet vetëm “klithma” e qiriut para fanellës me numrin e Andrej Llazarovit.
Futbollisti 19-vjeçar humbi jetën tragjikisht nga zjarri që përfshiu diskotekën e Koçanit. Lajmi shtangu shokët e skuadrës, tifozët dhe gjithë komunitetin e futbollit.

Po, na tha se do të shkonte në Koçan. Ne i thamë të kalojë mirë. Ai na tha se kishte kohë që nuk e kishte parë familjen dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi”, tha Kristijan Bllazhevski.

Drejtori i Përgjithshëm kujton momentet e para.

“Unë isha në Turqi, pashë lajmin e parë në Twitter se një tragjedi e tillë kishte ndodhur në Maqedoni, nuk kishte asnjë informacion në atë kohë për lojtarë të plagosur apo të vdekur apo të tjerë, më pas mora vesh se kishin vdekur 51 persona, një tragjedi e madhe, më vonë erdhi lajmi për Llazarov, u mor vesh se ai ishte në diskotekë, pastaj thanë se ishte në spital dhe se ishte mirë, ishim të pikëlluar jo vetëm për Llazarov për të gjithë popullin e Maqedonisë dhe të gjithë njerëzinë shprehëm ngushëllime. Derisa prisnim për Llazarovin të marrim një lajm të mirë, erdhi lajmi se ai kishte vdekur. Në Turqi, kërkova menjëherë një fluturim dhe erdha këtu me fluturimin e parë, sepse na iku shpirti. Nuk mund të rrija atje për asnjë minutë. Për ne ai ishte një lojtar i veçantë”, dekalroi Ajkut Turan.

Andrej, një futbollist i ri, një lojtar premtues dhe më e rëndësishmja, një mik, një vëlla, sinonim i shpirtit të ekipit, humbi jetën në tragjedinë që tronditi mbarë vendin. Diskoteka në Koçan u dogj dhe bashkë me të edhe jeta e një djali, ëndrrat e të cilit sapo kishin filluar të realizoheshin.

“Unë dhe Andrej dy-tre muajt e fundit shkuam çdo ditë në stërvitje bashkë. Kemi ngrënë bashkë, kemi pirë kafe bashkë, kemi dalë bashkë. Kemi pasur një marrëdhënie të bukur, miqësore, vëllazërore dhe do të mbetet gjithmonë pjesë prej meje, do ta kujtoj”, u shpreh Kristijan Bllazhevski.

Andrej u shpëtua, por ai u kthye në zjarr për të shpëtuar të tjerët.

“Në karakter dhe në fushë me shpirt luftarak, ishte diçka që na përshkruan plotësisht. Ne e donim shumë. Ai nuk është me ne tani, por ne ende nuk e besojmë, sepse në fushë, shpirti luftarak i Llazarovit e ndaloi njerëzimin atë ditë. Për të shpëtuar njerëzit atje, ai u kthye brenda dhe luftoi, por vdiq jo nga djegia, por nga mbytja. Ky është një personalitet i madh, kjo është një gjë e madhe. Qoftë toka e lehtë për të gjithë”, tha Turan.

Në stërvitjen e sotme lojtarët nuk u stërvitën. Ata u ulën në heshtje. Disa po luteshin, disa po shikonin fanellën, të tjerët thjesht po shikonin bosh. Askush nuk foli me zë të lartë, por të gjithë mendonin të njëjtën gjë – për Andrejin.

Në sport mëson të fitosh dhe të humbësh. Por kjo lloj humbje nuk mësohet – ajo mbartet në zemër dhe mbetet atje përgjithmonë.

“Marrëveshja do të vazhdojë. Ai është ende lojtari ynë”, tha Turan.