Institucioni financiar amerikan Citigroup ka depozituar gabimisht 81 trilionë dollarë (ose 81.000.000.000.000.000.000 dollarë) në llogarinë e një klienti, në vend të shumës së planifikuar prej 280 dollarësh.

U deshën disa orë për të kthyer transaksionin.
Ky gabim, i cili ndodhi prillin e kaluar dhe deri tani nuk ishte bërë publik, nuk u vu re nga punonjësi përgjegjës për pagesat dhe as nga një tjetër, detyra e të cilit ishte të kontrollonte transaksionin para miratimit, shkruan Financial Times.

Vetëm një punonjës i tretë e vërejti problemin me bilancin e llogarisë, duke e identifikuar gabimin 90 minuta pas regjistrimit të pagesës. Transaksioni u anulua disa orë më vonë, sipas një raporti të brendshëm që ka parë Financial Times dhe dy persona të njohur me çështjen.

Citigroup njoftoi se “kontrollet tona të zbulimit e identifikuan shpejt gabimin e regjistrimit midis dy llogarive dhe ne menjëherë e korrigjuam atë”, duke theksuar se sistemet e saj “do të kishin parandaluar çdo dalje të fondeve nga banka”.

“Pavarësisht se nuk pati pasoja as për bankën dhe as për klientin tonë, ky rast thekson përkushtimin tonë për të vazhduar automatizimin e kontrolleve dhe eliminimin e proceseve manuale”, shtuan ata.

Vitit e kaluar, Citigroup ka regjistruar edhe dhjetëra raste të tjera ku banka ka përpunuar shuma të gabuara, por në fund ka arritur t’i rikuperojë fondet – në vlera prej 1 miliard dollarësh ose më shumë, sipas raportit të brendshëm të parë nga Financial Times. Kjo shifër është pak më e ulët krahasuar me 13 raste të tilla nga viti i mëparshëm.

Një seri dështimesh të tilla zbulojnë se si kjo bankë e madhe në Wall Street ende po përballet me probleme operacionale, pothuajse pesë vjet pasi transferoi aksidentalisht 900 milionë dollarë tek kreditorët e përfshirë në një mosmarrëveshje borxhi me kompaninë kozmetike Revlon.

Gabimi i Citi-t në rastin Revlon çoi në shkarkimin e CEO-së së atëhershëm, Michael Corbat, gjoba të mëdha dhe vendosjen e masave rregullatore.

Drejtori financiar i Citigroup, Mark Mason, tha se banka po investon më shumë para se më parë për të trajtuar rreziqet e përputhshmërisë, duke iu referuar gjobave rregullatore për menaxhimin e rrezikut dhe të dhënave.

Në korrik të vitit të kaluar, Citi u gjobit me 136 milionë dollarë për shkak të progresit të pamjaftueshëm në adresimin e këtyre problemeve.