“Nuk përfaqësojnë klubin e as Ballistët” – KF Shkëndija distancohet nga individët që thyen minutën e heshtjes

Pas njoftimit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka reaguar Klubi i Futbollit Shkëndija duke thënë se si klub “respekton viktimat dhe distancohet nga sjelljet e papërgjegjshme”.
Nga Shkëndija kanë sqaruar se individët të cilët thyen minutën e heshtjes, nuk përfaqësojnë klubin dhe as tifozërinë e këtij ekipi, “Ballistët”.
“KF Shkëndija me përgjegjësi të plotë ndjek dhe respekton çdo vendim institucional që ndërlidhet me momente të ndjeshme për shoqërinë. Si klub, e kemi përjetuar thellë tragjedinë e ndodhur në Koçan, një ngjarje që ka tronditur gjithë vendin dhe që ka ndikuar emocionalisht edhe në përditshmërinë tonë. Kjo ndjenjë ishte e pranishme në çdo seancë stërvitore gjatë këtyre ditëve dhe u reflektua edhe në ndeshjen ndaj AP Brera, ku pavarësisht fitores 2:1 dhe ruajtjes së vendit të parë në tabelë, skuadra nuk përjetoi gëzimin e zakonshëm pas ndeshjes.
Në këtë kuadër, Shkëndija e respektoi minutën e heshtjes të vendosur nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut në nderim të viktimave. Megjithatë, gjatë këtij momenti, një grup individësh në tribunë zgjodhi të mos e respektojë heshtjen, sjellje që nuk përfaqëson as klubin, as tifozërinë në tërësi. “Ballistet”, të cilët zakonisht qëndrojnë në tribunën “Marshin Beqiri” mbrapa portës, kësaj radhe ishin të vendosur në tribunën qendrore. Në stadium ishin të pranishëm rreth 3-4000 spektatorë, ndërsa vetëm një grup prej afërsisht 20 individësh tregoi sjellje të papërgjegjshme, e cila nuk përfaqëson ndjenjat, solidaritetin dhe respektin e shumicës së tifozëve të pranishëm.
“Ballistet” janë lojtari i 12-të i klubit dhe gjithmonë kanë qenë pjesë e pandashme e Shkëndijës, por sjellja e papërgjegjshme e një grupi të caktuar individësh nuk pasqyron qëndrimin e tifo-grupit, i cili aktualisht është në proces riorganizimi, dhe as të pjesës tjetër të publikut, që në atë moment reagoi me fishkëllima për të shprehur pakënaqësinë ndaj atyre që këndonin.
KF Shkëndija shpreh keqardhje për këtë situatë dhe rithekson qëndrimin e saj të palëkundur në respekt të jetëve të humbura dhe dhimbjes që po kalon e gjithë shoqëria”, thuhet në njoftimin e Shkëndijes.