“Mesazh për institucionet se ky është shansi i fundit ose do të bëhemi ose nuk bëhemi kurrë. Duhet të jenë të vetëdijshëm që të rinjtë ose marrin vizë ose marrin certifikatë vdekjeje. Nuk kemi marrë gjë tjetër. Ose luftojmë të ikim ose vdesim e digjemi. Kam lexuar shumë mesazhe në rrjetet sociale, pse dilni në protesta, shkoni në kishë dhe ndizni qirinj. Nëse e bëjmë atë askush nga pushteti dhe institucionet kompetente nuk do ta kuptojë se ne jemi kundër këtij sistemi dhe duam që ky sistem të ndryshohet sa më shpejt”, tha Marija Stojanoska, studente.

Ky ishte mesazhi kryesor i dërguar sot nga Ohri, ku një javë pas tragjedisë së madhe në Koçan, me lule në duar dhe në heshtje, banorët e Ohrit me 60 minuta heshtje nga ora 12:00 deri në 13:00 në sheshin e qytetit i nderuan 59 viktimat. Ata thonë se kërkojnë drejtësi nga institucionet për jetët e humbura. Ata thonë se tani e kuptojnë se sa të pasigurta paskan qenë vendet ku kanë dalë.

“Ka disa që janë të sigurt dhe janë të kujdesshëm, por shumica prej tyre nuk i kushtojnë vëmendje sigurisë sonë. Paratë janë më të rëndësishme për ta. Ata do të lejojnë më shumë njerëz të hyjnë sesa mund të zë, për të fituar para, dhe kjo nuk është e sigurt. Unë jam 18 vjeçe tani, por më kanë lënë në klube kur isha 15 dhe 16 vjeçe”, u shpreh Bojana Angeleska – studente.

“Nuk ishim të vetëdijshëm nëse po e rrezikonim veten apo jo, dhe tani me këtë incident tragjik, kuptojmë se shumë herë, kur shkonim në ato klube apo në koncerte, ishim në rrezik shumë të madh dhe nuk ishim të vetëdijshëm për këtë dhe kjo duhet të ndryshojë. Duhet tërhequr vëmendja të gjithë banorëve për ndryshim”, tha Zvezdana Dockinovic -studente.

“E di që Koçani nuk do të jetë si ka qenë, as familjet”, shtoi Despina Krleska – studente.

Të pranishëm ishin edhe prindërit, të cilët kanë ardhur me fëmijët e tyre të mitur.

“Mesazhi im për institucionet është sanksion për të gjithë ata që nuk respektojnë dhe anashkalojnë ligjin dhe të ndalemi njëherë e mirë me termin e kam njeriun kudo, kam miqësinë dhe kjo situatë na solli te kjo. Meqë kemi mbetur të jetojmë në këtë vend, shpresojmë që këto gjëra të kapërcehen dhe jetojmë me shpresë, se një ditë do të zgjidhen të gjitha rrethanat dhe njerëzit do të jetojnë në një sistem që është i qëndrueshëm”, tha një prind.

Qytetarët në librin e ngushëllimeve shprehën ngushëllimet për familjet e të ndjerëve. Tubimi u organizua nga bashkësitë e të rinjve dhe studentëve, së bashku me Kuvendet Studentore dhe Këshillin Rinor Lokal.