Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó hodhi poshtë të martën “presionin e madh” nga Brukseli për t’i dhënë përparësi anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke këmbëngulur se Ukraina nuk mund të bëhet anëtare përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në një konferencë për shtyp me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Szijjártó paralajmëroi se anëtarësimi i Ukrainës mund të minojë BE-në ekonomikisht dhe sigurinë.

Ai hodhi poshtë idenë se Ukraina është më e përgatitur për anëtarësim sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i quajtur pretendime të tilla “thjesht të pakuptimta”.

Szijjártó theksoi se Hungaria mbetet një nga përkrahësit më të fortë të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se integrimi i rajonit do të forcojë stabilitetin, besueshmërinë dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.

“Besueshmëria e ardhshme e BE-së varet nëse më në fund mund të përmbushim premtimin e zgjerimit ndaj fqinjëve tanë më të afërt,” tha ai, duke vënë në dukje se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë pritur për dekada megjithë përmbushjen e kushteve kyçe.

Gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova, janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mali i Zi dhe Serbia janë aktualisht në negociata zyrtare. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat në vitin 2022. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit në vitin 2022, por ende nuk i ka hapur negociatat. Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ende është në pritje të statusit kandidat.

Szijjártó vuri në dukje gjithashtu standardet e dyfishta të BE-së. Ai shtoi se disa vende anëtare po bllokojnë negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe nuk po përballen me kritika, ndryshe nga Hungaria, e cila po përballet me kritika kur, siç tha ai, mbron të drejtat e hungarezëve etnikë në rajonin ukrainas të Transkarpatisë.