Petrovska akuzon Misajllovskin se po u bën pjesëtarëve të Armatës presion partiak: Kështu krenar nuk bëhemi, së shpejti do të publikoj skandale

Ish ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska ka dalë me akuza drejt Ministrisë së Mbrojtjes, pasi siç thotë, po bën presione partiake ndaj pjesëtarëve të shërbimit ushtarak për zbulim dhe siguri, përcjell TV21.
Petrovska thotë se këta pjesëtarë të këtij Shërbimi, janë marrë në bisedë që të japin deklaratë se pse kanë marrë pjesë në protestat Drejtësi për Frosinën dhe se a nënkupton pjesëmarrja se janë kundër Qeverisë aktuale.
“Paramendojeni, janë pyetur se a do të thotë kjo se janë kundër Qeverisë?! Dje, disa të punësuar, gjithashtu përfaqësues të Shërbimit, iu është tërhequr vërejtja “të kenë kujdes se çfarë bëjnë “like” (pëlqejnë) dhe të mos mbështesin viktima të vetëquajtur”, shkruan mes tjerash në profilin e saj në Facebook Petrovska.
Ajo ka apostrofuar ministrin aktual, Vllado Misajllovski edhe për mënyrën se si “i vendos prioritetet”.
“Kështu krenar nuk bëhemi. Shumë shpejtë, me emër dhe mbiemër, do t’i publikoj të gjitha skandalet e presioneve partiake ndaj të punësuarve dhe profesionistëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë”, përfundon Petrovska.