PLD bëhet gati për zgjedhjet lokale, Todorovski dhe Stojanov, sekretarë të rinj ekzekutiv të partisë

Sot në sallën e Universitetit Evropian – Shkup është mbajtur seanca e 10-të e Bordit Qendror të Partisë Liberal Demokratike (LDP). Në seancë u shqyrtuan dhe u miratuan vendime të rëndësishme lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale të planifikuara për tetor të këtij viti, si dhe dokumente të tjera kyçe organizative dhe strategjike për avancimin e punës së partisë.
Bordi Qendror i PLD-së miratoi Rregulloren për kriteret dhe procedurën për përcaktimin, evidentimin dhe verifikimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Këto rregulla do të sigurojnë një proces transparent, të drejtë dhe gjithëpërfshirës të përzgjedhjes së kandidatëve partiakë për zgjedhjet lokale.
Gjithashtu, janë miratuar rregulla të reja për funksionimin e organizatave komunale të partisë, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe koordinimit të tyre.
Bordi Qendror miratoi gjithashtu Strategjinë e Komunikimit të Brendshëm, e cila do të forcojë komunikimin ndërmjet organeve, anëtarëve dhe simpatizantëve, me qëllim të funksionimit më të mirë të partisë, si dhe emëroi sekretarë të rinj ekzekutivë dhe koordinatorë rajonalë, të cilët do të luajnë një rol kyç në punën në terren dhe përgatitjen për zgjedhjet lokale.
Me mbështetjen unanime të anëtarëve të pranishëm të Bordit Qendror, u miratua vendimi për zgjedhjen e Ivica Todorovskit dhe Zoran Stojanovit për sekretarë ekzekutiv të PLD-së.
Todorovski është anëtar shumëvjeçar i PLD-së, me përvojë të konsiderueshme në parti si kryetar i OSH-së Gjorçe Petrov dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv, ndërsa në karrierën e tij profesionale ka mbajtur pozita drejtuese, duke përfshirë edhe drejtor të Drejtorisë për punë hidrometeorologjike.
Stojanov është gjithashtu një kuadër partiak me përvojë, me mandate të shumta si këshilltar në Komunën e Gazi Babës dhe pozita të larta në parti, përfshirë Bordin Qendror dhe Ekzekutiv. Karriera e tij profesionale përfshin pozita drejtuese në NP “Ujësjellës Kanalizime” – Shkup, ku ishte edhe drejtor operativ.