Amerika ka rritur presionin ndaj Ukrainës për të nxitur arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, duke hequr aksesin në imazhet satelitore që firma amerikane Maxar ofron. Këto fotografi, të përdorura për të monitoruar lëvizjet e trupave ruse dhe për të vlerësuar dëmet pas sulmeve ajrore, nuk do të jenë më të disponueshme për ushtrinë ukrainase.

Në një deklaratë, Maxar theksoi se vendimi është marrë në përputhje me politikën e presidentit amerikan Donald Trump, duke bllokuar kështu aksesin për Ukrainën në këto imazhe jetike. Imazhet satelitore kanë qenë një mjet strategjik për Kievin, të cilat shfrytëzohen për planifikimin e misioneve zbulimore me dron, lokalizimin e depove ruse të tankeve dhe automjeteve, si dhe për vlerësimin e efektivitetit të sulmeve të thella në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Vendimi vjen në një javë të vështirë për Ukrainën, pasi SHBA fillimisht ndërpreu ndihmën ushtarake ndaj Kievit dhe më pas ndaloi ndarjen e informacionit të inteligjencës. Heqja e kësaj ndihme strategjike shihet si një tjetër përpjekje për të presionuar Ukrainën në bisedimet e paqes me Rusinë.

Një zyrtar ushtarak ukrainas komentoi se ndalimi i aksesit në këto fotografi do të thotë se ushtria “po lufton qorrazi”, duke theksuar ndikimin negativ që ky vendim mund të ketë në aftësitë operative të Kievit në terren.