Policia e Kosovës i ka arrestuar 16 të dyshuar, përfshirë një zyrtar policor, për kontrabandë me armë të mërkurën gjatë një operacioni të gjerë policor në jug dhe veri të Kosovës.
Në një komunikatë të përbashkët, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës njoftuan se operacioni policor u krye në 21 lokacione në Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.
Gjatë operacionit janë sekuestruar nëntë armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, dy palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe një DVR, thuhet në njoftim.
Operacioni vjen pas hetimeve disamujore dhe u krye nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me mbështetjen e njësive policore dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “detyrim”, si dhe “importim, eksportim, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësimi ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se në mesin e të arrestuarve është dhe një zyrtar policor, i cili është pezulluar gjatë arrestimit.
“Polici është pezulluar përkohësisht gjatë arrestimit, deri në përfundimin e hetimeve. Nëse është i pafajshëm, do të kthehet në punë”, ka thënë Elshani, duke mos dhënë më shumë hollësi.
REL-i mëson nga burimet e saj se polici i arrestuar është nga radhët e komunitetit serb.
Trembëdhjetë nga 16 të arrestuarit janë dërguar në paraburgim për 48 orë, thuhet në njoftim.
Identiteti i të dyshuarve të tjerë nuk është bërë i ditur.
Autoritetet e sigurisë nuk dhanë më shumë hollësi në lidhje me atë se nga cilat vende apo se në cilat vendet mund të kenë importuar dhe eksportuar armë të dyshuarit.
Në të kaluarën, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në veri të vendit.