“Pranvera e dinjitetit”: Mesazhe nga Kalaja e Sellcës – Mos e prekni Marrëveshjen e Ohrit dhe Gjuhën Shqipe!

Me rastin e shënimit të 24-vjetorit të fillimit të luftimeve të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” në rajonin e Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, Shoqata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, tradicionalisht shënoi këtë datë të rëndësishme të shqiptarëve në RMV në Kalanë e Sellcës në Rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Sellcë të Malësisë së Tetovës.
Ish-ushtarë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë të luftës por qytetarë të shumtë morën pjesë në ngjarjen “Pranvera e Dinjitetit’ për të rikujtuar edhe një herë zhvillimet e 14 marsit por edhe gjithë vitin 2001 dhe për të sjellë sërish në memorjen kolektive sakrificën e shqiptarëve në luftën për të drejta dhe barazi në Maqedoni, sakrificë kjo që u përmbyll me Marrëveshjen e Ohrit të nënshkruar më 13 gusht 2001.
Nga Kalaja e Sellcës u dërguan edhe mesazhe drejtuar Qeverisë aktuale.
“Mos e prekni Marrëveshjen e Ohrit”, “Mos e prekni gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve” – ishin disa nga mesazhet e komandantëve të luftës, të cilët gjatë evokimit të kujtimeve nga ditët e trazuara të marsit 2001, bënë thirrje që qeveria aktuale por edhe maqedonasit të kenë mirëkuptim për të drejtat e shqiptarëve.
“Mos prekni Marrëveshjen e Ohrit! Marrëveshja e Ohrit është një dokument ndërkombëtarisht i nënshkruar, është një dokument I cili garanton të drejtat e gjithë qytetarëve në RMV. Duhet të kenë kujdes kur preken të drejtat e shqiptarëve, qofshin edhe përfaqësuesit tonë, të cilët sot bëjnë pjesë në këtë qeveri, por nuk e kanë legjitimitetin e shqiptarëve, qoftë pala maqedone, me të cilët ne gjithmonë kemi qenë korrekt si shqiptarë” – tha ndër tjera ish-Komandanti Rafiz Aliti.
Në kuadër të manifestimit “Pranvera e dinjitetit”, gjithashtu u bënë edhe homazhe dhe nderime në vendprehjen e Dëshmorëve pranë Kalasë së Sellcës.