Marrja e përkohshme e patentës së shoferit, ndalimi i daljes nga vendbanimi dhe detyrimi i të dyshuarit për t’u paraqitur në gjykatë janë masat që prokuroria kërkon nga Gjykata Penale për 47-vjeçarin, i cili një ditë më parë me 1.35 promilë alkool në gjak dhe me shpejtësi mbi normën e lejuar, ka goditur një grua teksa kalonte në rrugën në vizë-bardha.
“Më 2 mars, pas mesnate, i dyshuari në rrugë publike ka qenë duke vozitur makinën në korsinë e majtë të rrugës “Shën Kirili dhe Metodi”. Pjesa e përparme e automjetit ka goditur në anën e majtë të dëmtuarën, e cila kalonte rrugën në kalimin e këmbësorëve. Nga goditja ka pësuar lëndime të rënda”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Në bazë të veprës, i dyshuari mund të dënohet me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet. Përveç këtij aksidenti, statistikat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se qindra drejtues automjetesh në të gjithë vendin janë gjobitur për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit gjatë muajit të kaluar dhe mbi 7 mijë kanë marrë kundërvajtje për tejkalim shpejtësie.
“Në muajin shkurt gjithsej 2059 vozitës janë larguar nga komunikacioni për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, 617 vozitës janë larguar nga komunikacioni për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit, ndërsa 7473 shoferë kanë marrë gjoba për kundërvajtje për ngasje me shpejtësi më të madhe se norma e lejuar”, thonë nga MPB.
Shqetësuese janë edhe shifrat e policisë nga fundjava e parë e muajit mars, pasi janë shqiptuar 1278 gjoba, prej tyre 126 për vozitës pa patentë, 144 për shoferë nën ndikimin e alkoolit dhe 238 për shpejtësi të madhe.
Kontrollet e shtuara të policisë vijnë pasi më 29 janar, 20-vjeçari Vasil Jovanov, në gjendje të dehur, pa patentë shofer dhe me shpejtësi të madhe, përplasi për vdekje 22-vjeçaren nga Negotina, Frosina Kullakova.
Pas këtij aksidenti u organizuan disa protesta në Negotinë dhe Shkup ku u kërkua drejtësi për Kullakovën, si dhe dënime më të rrepta për të gjithë ata që nuk respektojnë rregullat e trafikut. /Alsat