Gjashtë ditë pas zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse”, qytetarët e Koçanës sot në orën 15.00 në Parkun e Revolucionit organizuan tubim njëorësh paqësor në shenjë nderimi për viktimat dhe për të mbështetur të lënduarit.
Në këtë tubim nuk pati fjalim zyrtar, kurse të pranishmit thanë se janë organizuar spontanisht, me thirrje përmes rrjeteve sociale.
Me mesazhe përmes parullave potencuan se kërkojnë drejtësi, kurse organet e drejtësisë ta zbardhin rastin deri në fund.
“Të gjitha viktimat dhe të lënduarit i ndjejmë sikurse fëmijët tanë. Me dhimbje të thellë jemi në zi për shkak të fatkeqësisë që ndodhi dhe mbështesim prindërit dhe të afërmit e tyre që të kenë forcë ta përballojnë këtë tragjedi. Presim zbardhjen e plotë të rastit kurse fajtorët që shkaktuan këtë tragjedi të tmerrshme të dalin para drejtësisë. Lutemi që fëmijtë e lënduar sa më shpejtë të shërohen dhe t`u kthehen familjeve të tyre” – thanë qytetarë të Koçanës.
Qytetarët sërish kanë mbështetur personat e sigurimit të diskotekës, që kishin tërhequr dhe shpëtuar të rinjtë, sic thanë, në vend që të mjekohen nga plagët, ata janë të dyshuar dhe gjenden në paraburgim.
Tubimi përfundoi me marsh paqësor nëpër rrugët e qendrës së Koçanës, kurse qytetarët thanë se do të vazhdojnë formën e këtillë të organizimeve edhe ditëve në vijim.