Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke e lidhur drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Pasaporta e BE është aty, na duhet që shqiptarët të na japin mandatin më 11 maj dhe të çojnë një mesazh të fortë në Bruksel duke votuar masivisht për të,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se liria individuale e shqiptarëve është fituar, por do të garantohet plotësisht vetëm përmes anëtarësimit në BE. Kryeministri vuri në dukje se integrimi do të sjellë më shumë siguri dhe barazi para ligjit, duke përmendur reformat në drejtësi si një hap historik për vendin.

“Nuk e fituam barazinë para ligjit as pas rënies së diktaturës. Por falë reformës në drejtësi, shqiptarët po shohin për herë të parë një përpjekje reale në këtë drejtim,” u shpreh ai.

Rama akuzoi kundërshtarët politikë se synojnë të bllokojnë përparimin e vendit, duke iu referuar me tone të ashpra opozitës. “Bufi i Kënetës dhe ata që e rrethojnë betohen se do ta kthejnë përmbys këtë proces. Duan votën që më 12 maj të marrin shpatën e drejtësisë dhe të zhveshin zonjën e drejtësisë nga fuqia për të vendosur barazi para ligjit,” tha ai.