Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të enjte rubrikën e tij në rrjetet sociale, ku ka përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, ndërsa ka folur përsëri për reformën në drejtësi.

Gjatë diskutimit, Rama ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe ka sjellë në vëmendje ngjarjen e 21 janarit, ku katër protestues humbën jetën në bulevardin e kryeqytetit.

Ai gjithashtu ka vlerësuar kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke i shprehur respektin për punën e tij dhe përballjen me presionet që ka pasur gjatë detyrës së tij.

“Altin Dumani është një njeri për të cilin kam shumë respekt. E kam shprehur publikisht solidaritetin përballë të gjithë qenësisë që sot i është turrur për ta vënë nën presion. Ka qenë aty, por nuk ka pasur fuqinë që ka sot, sepse shpata e ndëshkimit përdorej për hesapet e pushtetit,” – tha Rama, duke theksuar se fuqia që ka sot drejtësia është shumë më e fortë dhe e pavarur.

Ai theksoi gjithashtu se ai dhe qeveria e tij kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të dorëzuar “shpatën e ndëshkimit” tek drejtësia dhe për të garantuar se ajo nuk do të përdoret për përfitime politike.

Kryeministri riktheu më pas diskutimin për ngjarjen e 21 janarit, duke përshkruar se si mund të ndodhte e njëjta situatë sot nëse urdhrat për dhunën ndaj protestuesve do të jepeshin nga qeveria aktuale.

“Imagjinoni sikur të ndodhte sot, të mblidhej këtu poshtë dritares sime një popull i tërë dhe të jepej urdhri për të qëlluar. Katër vetë të pafajshëm, totalisht të parrezikshëm, të vdisnin. Imagjinoni që SPAK të lëshonte urdhra arresti për personat përgjegjës për menaxhimin e protestës dhe unë të jepja urdhër drejtorit të policisë që t’i thoshte: ‘Ec, nuk arrestohet askush.’ Me forcën e policisë të mbroja persona që kërkonte SPAK,” – deklaroi Rama, duke theksuar ndryshimin e madh që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet e qeverisë për të siguruar një sistem të pavarur dhe të drejtë.

Kryeministri vazhdoi të shpjegonte se ky ndryshim nuk është rezultat i asnjë ndërhyrjeje të jashtme, por i një procesi të brendshëm që ka filluar me forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe pavarësisë së SPAK-ut, të cilën ai e vlerëson si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë.

“Si shpjegohet kjo që tani duket kaq e pamundur, kush e bëri këtë, na ra nga qielli apo e solli Amerika me aeroplan, ose Europa me vapor? Këtë e bëri ky që sheh këtu, bashkë me ata që e votuan me vullnet të plotë,” – përfundoi Rama, duke theksuar se ky ndryshim është arritur përmes përpjekjeve të ekipit të tij dhe mbështetjes së qytetarëve./euronews/