Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte raportohet se do ta vizitojë Kosovën më 11 mars.

‘REL” citon burime diplomatike, duke thënë se Rutte në këtë vizitë do të shoqërohet edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

Ndërkohë, NATO nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht vizitën në fjalë.

Para pak ditësh, shefi i NATO-s foli në lidhje me raportimet se ShBA mund ta largojë trupat ushtarake nga Kosova.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në të interesin e të gjithë neve” – kishte thënë ai.