Në ndeshjen e parë të 1/8 së finales ndaj Atletico Madridit në “Santiago Bernabeu”, Real Madridi do të luajë ndeshjen e 500-të në Ligën e Kampionëve, në një kompeticion ku ‘sundon’ me 15 tituj të fituar.

Real Madridi do të shënojë një arritje historike në një ndeshje speciale: në Derbin e Madridit, në skenën e Ligës së Kampionëve.

“Los Blancos” do të bëhen të parët që luajnë 500 ndeshje në kompeticionin më prestigjioz për klube në botë.

Është po ashtu klubi me më së shumti tituj (15 sosh), më së shumti fitore (301) dhe me më së shumti gola të shënuar (1101).

Mbrapa Realit në tabelën e gjitha kohërave të Ligës së Kampionëve është Bayerni me 404 ndeshje, Barcelona me 357, Juventusi me 311 dhe Benfica me 302.

Në aspektin e trofeve, Reali qëndron si mbret i palëkundur me 15 sosh, i ndjekur nga Milani me 7, Bayerni dhe Liverpooli me 6, Barcelona me 5 dhe Ajaxi me 4.

Rrugëtimi i Real Madridit në Ligën e Kampionëve – më herët e njohut si Kupa Europiane – nisi më 8 shtator 1955, me fitoren prej 2-0 ndaj Servettes në Gjenevë.

U deshën 17 vite që Reali të ketë 100 ndeshje në këtë kompeticion, e cila ndodhi më 7 mars 1973, në barazimin pa gola ndaj Dynamo Kyiv. Ndeshje e luajtur në kuadër të çerekfinales së këtij kompeticioni.

Ndeshja e 200-të erdhi në shtëpi ndaj Portos, derisa e 300-ta erdhi më 2007 me një fitore prej 2-1 ndaj Ëerder Bremen.

Ndeshja e 400-të po ashtu ishte një fitore, e arritur ndaj Legias më 18 tetor 2016 në “Santiago Bernabeu”.

Real Madridi mban disa rekorde në Ligën e Kampionëve: Klubi me më së shumti paraqitje (44), më së shumti finale të luajtura (18).

Pas fitimit të pesë trofeve rresht nga viti 1955 deri më 1960, klubi madrilen tash po shënon një nga epokat më të mira në këtë kompeticion, duke fituar gjashtë herë Ligën e Kampionëve në dekadën e fundit.

Ndeshja e 500-të e Realit në Ligën e Kampionëve do të luhet nesër në “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00, me kundërshtar Atletico Madridin.